Niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve

Prishtinë, 23 Nëntor, 2016 – Cilësia e ajrit në Kosovë është evidentuar të jetë larg kritereve botërore dhe që tejkalon çdo standard të lejuar. Se niveli i ndotjes së ajrit në vend është në vlera alarmante, u vërtetua edhe nga monitorimi i fundit i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit përmes “Indeksit të cilësisë së ajrit.” Në bazë të këtij indeksi, Kosova, gjegjësisht Prishtina, klasifikohet në kategorinë e tretë të ndotjes së ajrit, saktësisht në parametrat 151 deri në 200, me vlerën 157 të PM2.5, që paraqet nivelin e cilësisë së ajrit si të pashëndetshme, ku si shpjegim i kategorisë citohet: “Të gjithë mund të fillojnë të përjetojnë disa efekte negative shëndetësore, dhe anëtarët e grupeve të ndjeshme mund të përjetojnë efekte më të rënda.” [1]

Klikoni linkun për të bërë dhe ju vetë vlerësimin:
https://airnow.gov/index.cfm?action=airnow.global_summary#Kosovo$Pristina

Vlerat e lartëpërmendura të ndotjes së ajrit në Prishtinë paraqesin qartë degradimin e vazhdueshëm të kualitetit të ajrit, si rezultat i afërsisë së saj me termocentralet të cilat shkaktojnë ndotje të lartë në mjedis, qarkullimit më të madh të veturave në komunikacion, si dhe operimit më të lartë të industrisë. Të gjithë këta faktorë ndikojnë drejtpërsëdrejti në ndotjen e ajrit, i cili vazhdon të mbetet njëri nga shqetësimet kryesore të banorëve të kryeqytetit, dhe të qyteteve më gjerë.

Mirëpo në anën tjetër, sipas deklaratave të zyrtarëve të institucioneve shtetërore mjedisore thuhet se ndotja e ajrit në Kosovë është në suaza të normales, direktivave dhe ligjit.[2] Duke ofruar të dhëna zyrtare të matjes së ajrit për tre mujorin e parë të këtij viti, është thënë se cilësia e ajrit në Prishtinë është në norma të lejuara – por që në fakt kjo gjë po bie në kundërshtim me gjetjet dhe analizat ndërkombëtare për matjet e ndotjes në kryeqytet.

KOSID shpreh shqetësim rreth situatës aktuale, pasi që cilësia e ajrit në Kosovë mbetet kërcënim për shëndetin publik të qytetarëve. Gjithashtu, është alarmuese fakti se brenda vitit në Kosovë evidentohen rreth 800 vdekje të parakohshme si pasojë e ajrit të ndotur. Shëndeti duhet mbrojtur nga të gjitha institucionet publike, andaj është më se e rëndësishme ndërmarrja e masave të nevojshme për përmirësimin e gjendjes mjedisore, respektimi i normave të cilësisë së ajrit, dhe kontrolli më i shtuar ndaj aktiviteteve të cilat ndikojnë negativisht në mjedis.

KOSID, në vazhdën e projekteve të tij, çdoherë prioritizon shëndetin publik duke reaguar kundrejt zhvillimeve të aktiviteteve me efekt negativ në mjedis, dhe në këtë rast gjykon se duhen ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të përmirësuar situatën aktuale për të mos rrezikuar shëndetin e popullatës në përgjithësi.

--
[1]
 https://www.airnow.gov/index.cfm?action=aqibasics.aqi

[2] http://www.kosovapress.com/sq/lajme/cilesia-e-ajrit-ne-kosove-ishte-katastrofale-tani-ne-suaza-te-normales-73638/

Artikuj të tjerë