KOSID lansoi fushatën sensibilizuese mbi efiçiencën e energjisë

Prishtinë, 5 maj 2014 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) lansoi fushatën sensibilizuese mbi efiçiencën e energjisë, ku qëllimi i kësaj fushate është vetëdijësimi i qytetarëve për kursimet dhe benefitet financiare që mund të kenë nga implementimi i programeve për eficiencë. Gjatë konferencës u prezantuan zgjidhjet e problemeve energjitike përmes politikave të cilat do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm  me energji elektrike, të përballueshëm, të sigurt dhe miqësor ndaj ambientit.

Visar Azemi, Koordinator në KOSID, tha se kjo kampanjë senzibilizuese përmban tri komponentë, atë të prodhimit të energjisë eklektike, çmimin e energjisë elektrike si dhe efiçiencën e energjisë. “Qëllimi i kampanjës së re të KOSID-it është që ta senzibilizojë edhe një herë opinionin mbi këto tri çështje të cilat janë komponent kyçe të sektorit të energjisë, dhe njëherit t`ua bëjë  me dije institucioneve të cilat janë duke punuar në politikat energjetike, se Kosova e Re është e pa nevojshme dhe nuk duhet ndërtuar,” ka thënë Azemi.

Ndërsa Agron Demi nga Instituti GAP, tha se problemet energjetike nuk mund të zgjidhen, me ndërtimin e një Termocentrali të ri prej qymyria, siç ka propozuar Qeveria e Kosovës.

Kurse Liridon Durmishi nga Iniciativa për Ambient dhe Zhvillim Lokal, tha se gjitha pasojat e keqmenaxhimit në fushën e energjisë, po i përjetojnë banorët e Komunës së Obiliqit e më së shumti ata të fshatit Hade.

Në mënyrë të ketë shfrytëzim më racional të energjisë, të mos ketë shkelje të obligimeve dhe standardeve ligjore e evropiane, dhe të mos ketë nevojë për ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit nga qymyri, KOSID-i propozoi një renditje të prioriteteve të sektorit si në vijim:   

  1. Reduktimi i humbjeve teknike dhe komerciale të energjisë elektrike në një kuotë të pranueshme;
  2. Krijimi i një programi nacional për efiçiencë të energjisë në sektorin publik dhe privat me fondet e garantuara nga donatorë të ndryshëm dhe Qeveria e Kosovës;
  3. Eksplorimi i të gjitha burimeve të ripërtërishme të energjisë  që mundëson decentralizim të gjenerimit të energjisë dhe diversifikim të burimeve energjetike;
  4. Avancimi i mëtejmë i tregut të energjisë në Kosovë, duke filluar nga ndërtimi i infrastrukturës ndërkombëtare, e deri te masat stimuluese për tregun e liberalizuar pas vitit 2015.  

Studimet e KOSID-it kanë dëshmuar këtë në teori andaj rithekson edhe një herë se nuk beson që Kosova ka nevojë për një termocentral të ri, duke qenë kështu, kundër politikave të tanishme dhe projektit “Kosova e Re.”’ Konferenca u përmbyll duke theksuar se Kosova ka nevojë për shfrytëzim më racional të energjisë që do t’u garantonte qytetarëve fatura më të lira dhe mjedis e shëndet më të mirë.

Artikuj të tjerë