Tryezë diskutimi për Statusin Pronësor të Kompleksit Trepça

3 shkurt 2014 - Sot, më 3 shkurt 2014, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) mbajti Tryezën e Rrumbullakët për të diskutuar Statusin Pronësor të Kompleksit Trepça; “Rruga përpara për të promovuar një strategji të re të investimeve për ringjalljen e saj”.

Në këtë panel ishin të ftuar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Z. Fadil Ismajli dhe Z. Visar Ymeri nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Parlamentit të Kosovës.

Kjo tryezë kishte për qëllim të nxis diskutimin në lidhje me statusin pronësor dhe juridik të Kompleksit Trepça dhe sfidat me të cilat përballet ky Kompleks dhe Qeveria e Kosovës. Në veçanti, paneli diskutues u përqendrua mbi statusin ligjor të Trepçës gjatë viteve, gjendjen e tanishme, si dhe kushtet që duhet të konsiderohen para se të merret ndonjë vendim në lidhje me të ardhmen e saj. Panelistët afruan  mendimet e tyre mbi këtë çështje dhe paraqitën implikimet dhe rekomandimet në lidhje me Kompleksin e Minierave-Trepça.

Gjatë këtij diskutimi, KOSID prezantoi analizën e politikave e tëtitulluar ‘Statusi Pronësor i Trepçes: Rruga përpara për të promovuar një strategji të re të investimeve për ringjalljen e saj, të përgatitur nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti GAP.

Rekomandimet e dala nga tryeza jane:

a)      Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të miratojë një ligj të veçantë mbi statusin ligjor të Trepçës dhe rrugën përpara.

b)      Bashkimi i Trepçës Veriore me atë Jugore ka rëndësi të madhe për vetë ekzistencën e kompanisë dhe potencialin e saj që të tërheqë investime të huaja direkte për PPP-të e mundshme në segmentet e përpunimit industrial si dhe në funksionimin e eksploatimit në miniera.

c)      Kërkimi i mundësive për fonde afatshkurtra të duhura nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe kërkimi i donatorëve të jashtëm mund të konsiderohet si një mënyrë emergjente për investimet kapitale në Trepçë.

d)     Kapacitetet metalurgjike dhe ato të përpunimit duhet të aktivizohen sa më shpejtë që është e mundur pasi që nuk do të ketë kuptim të vazhdohet vetëm me prodhimin e koncentrateve të metaleve.

e)      Pasi që zhvillimi i sektorit bujqësor u bë prioritet i planit afatmesëm të Qeverisë, aktivizimi i njësisë për prodhimin e kimikateve komplekse për plehra është i rëndësisë së madhe, sidomos pasi që sasi të mëdha të kimikateve janë të nevojshme për të zhvilluar më tutje këtë sektor.

Artikuj të tjerë