Tryezë Diskutimi për Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar ‘Sharri’

31 janar 2014 - Sot, më 31 janar 2014, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) mbajti Tryezën e Rrumbullakët për të diskutuar Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar ‘Sharri’.

Për të diskutuar këtë Plan, investimet dhe mbrojtjen e natyrës në këtë Park, në panel ishin prezent Nait Hasani, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Dardan Gashi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Bernard Nikaj, U.D. i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë si dhe zyrtarë tjerë përgjegjës për këtë plan në Parkun ‘Sharri’.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte nxitja e diskutimit në lidhje me shqetësimet e ngritura për propozimin e Komisionit ndërministror të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e zonimit të tokës nga zona I në zonën III për qëllime të projektit Brezovica që të krijohen kushtet ligjore për intervenim njerëzor. Një gjë e tillë ka iniciuar ndryshimet drejt zhvlerësimit të vlerave natyrore nga zona e parë e mbrojtur në zonë të tretë, edhe pse ky vlerësim është kryer më parë me draft Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar ‘Sharri’ të vitit 2009.

Zona e përcaktuar nga Komisioni ndërministror i Qeverisë së Kosovës (në janar 2013) për Projektin ‘Brezovica’ përfshinë zonën A, Zonën B (qendrën ekzistuese të skijimit në Brezovicë), Zonën C dhe Zonën D, si dhe zonat e brendshme dhe ndërlidhëse. Në zonën A të Projektit “Brezovica” gjenden dy rezervate strikte të natyrës: Bistra (Ujërat e Humbur) dhe Përroska e Durlës, në të cilat janë të ndaluara të gjitha aktivitetet njerëzore, në veçanti prerjet dhe shkatërrimi i pyjeve dhe ndërtimet. Nga të gjithë të pranishmit u theksua se një plan i tillë bën shkelje ligjore dhe bie ndesh me Direktivat Evropiane si dhe dëmtohet ambienti dhe biodiversiteti.

Fakti që të krijohet një plan me logjikën se po që se projekti dështon atëherë do të rikonsiderohet kthimi i kësaj zone sërish në zonën I është shqetësues për KOSID.

Ministri Gashi tha  se ‘ky plan është një kompromis në mes të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit’. Përderisa, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Planifikim Hapësinor Nait Hasani tha se ‘forma e zgjedhjes së këtij projekti është e gabuar dhe se në Planin Hapësinor ka mospërputhshmëri në mes të hartave’. Sidoqoftë, U.D i Ministrit të Tregtisë dhe Insdustrisë Bernard Nikaj zotoi se ‘gjatë evaluimit të ofertave nga investitorët potencial do të ketë rol kryesor ndikimi sa më i vogël në mjedis’.

Megjithatë, nga zhvillimet e deritanishme duket se me këtë plan po ndërtohet baza ligjore për të mundësuar realizimin e projektit Brezovica dhe pa i dhënë rëndësinë e duhur mjedisit.

Rekomandimet e dala nga tryeza theksojnë nevojën e respektimit të ligjeve të Kosovës, Konventave dhe Direktivave të BE-së për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit; të bëhet vlerësimi i pasurisë natyrore në zonën e dedikuar për investim; dhe që ky plan, para se të miratohet nga Kuvendi, të shqyrtohet nga Bordi Këshilldhënës për Mjedis.

Prandaj, KOSID kërkon që ky plan hapësinor të mos aprovohet me procedura të shpejta dhe jo-transparente, por të analizohen ndikimet që plani mund të ketë në pasuritë natyrore të Kosovës.

Artikuj të tjerë