Tarifat nxitëse dhe rëndësia e tyre për investime në Kosovë

Prishtinë, 12 janar 2014 - Kosova nuk është vend i përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë së ripërtritshme, si pasojë e moskompletimit të skemës së tarifave nxitëse dhe procedurave tejet të komplikuara për të investuar në këtë sektor. Kjo është gjetja kryesore e studimit “Tarifat nxitëse dhe rëndësia e tyre për investime në Kosovë” të botuar të dielën nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID). Studimi përfshinë një analizë të politikave publike të sektorit të energjisë, analizë krahasimore të skemës së tarifave nxitëse mes Kosovës, rajonit dhe vendeve të BE-së, si dhe vë në pah hapat që Kosova duhet marrë në promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Për Kosovën, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë,sasia e energjisë nga burimet e ripërtërishme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë deri në vitin 2020 duhet të jetë 25%. Për të arritur këtë cak, si dhe për shkak të efikasitetit të tarifave nxitëse në stimulimin dhe sigurimin e prodhimit të energjisë së pastër, implementimi i tyre është tejet i rëndësishëm. Andaj, INDEP në këtë analizë, ka analizuar rëndësinë e politikës së tarifave nxitëse si një metodë tejet të mirë për të nxitur zhvillimin e shpejtë të burimeve të ripërtëritshme, përmes së cilës përfitojnë tarifë-paguesit, zhvilluesit e energjisë së pastër si dhe shoqëria në përgjithësi. Gjithashtu, janë analizuar llojet e tarifave nxitëse si dhe lartësia e tyre në krahasim me vendet e rajonit.

Tarifat nxitëse në Kosovë janë të përcaktuara për energjinë nga uji (63.3 €/MËh), era (85.0 €/MËh dhe biomasa (71.3 €/MËh).Tarifat nxitëse (të caktuara), edhe pse dallojnë me ato të vendeve të rajonit, janë relativisht të kënaqshme. Sidoqoftë, tarifat e energjisë solare dhe energjisë gjeotermale në nuk janë të përcaktuara ende.Nga krahasimi i Kosovës me vendet tjera, vërehen dallime në kohëzgjatjen e tarifave nxitëse. Kosova aplikon tarifa me kohëzgjatjen më të ulët të tarifave nxitëse në rajon dhe me vendet e BE-së, ngase tarifat nxitëse në Kosovë janë të përcaktuara vetëm për 10 vite. Kohëzgjatja e kontratave vlerësohet të jetë shumë e vogël dhe nuk ju garanton investitorëve se kostoja e investimit të tyre do të mbështetet mjaftueshëm nga ana e institucioneve të shtetit.

Në studim janë përfshirë edhe një sërë rekomandimesh për institucionet kryesore të vendit të cilat janë konsideruar të domosdoshme për ndryshimin e gjendjes aktuale. Rekomandimet janë hartuar duke pasur parasysh nevojat aktuale të Kosovës dhe mundësitë dhe kapacitetet institucionale për realizimin e tyre. Në këtë kuptim, rekomandimet e këtij punimi synojnë të jenë bazë e ndryshimit të politikave aktuale në drejtim të nxitjes së investimeve në fushën e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Artikuj të tjerë