Deponia e Mirashit – rrezik i lartë për qytetarët

20 Dhjetor 2013 - Iniciativa për Ambient dhe Zhvillim Lokal (IAZHL) nga Obiliqi dhe  Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në konferencë për medie, të organizuar sot, publikuan raportin që analizon gjendjen e mjerueshme të Deponisë Sanitare në Mirash, që vjen si pasojë e menaxhimit të dobët, mos-trajtimit të duhur të mbeturinave, ndezjes së qymyrit, emetimit të gazrave dhe rreziqeve që mund të shkaktojë kjo në shëndetin e punëtorëve në DS dhe banorëve në rrethinë.

Gjendja aktuale në DS të Mirashit, paraqet rrezikshmëri të lartë duke filluar së pari për punëtorët e angazhuar në deponi, por edhe për banorët e fshatrave në afërsi të deponisë. Mungesa e sistemit të ajrosjes, mungesa e trajtimit adekuat të ujërave të zeza, dhe djegia e mbeturina, kontribuojnë në ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve në afërsi të deponisë.

Ndonëse projekt i financuar nga Agjensioni Europian për Rindërtim, DS e Mirashit, qe nga ndërtimi në vitin 2005, nuk ka funksionuar asnjëherë në bazë të standardeve evropiane për menaxhimin e mbeturinave në deponi.

Në vitin 2011, pas një vizite inspektuese në deponinë sanitare të Mirashit, ekspertët e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kanë konstatuar që gjendja në deponi është shumë e rëndë dhe paraqet parakushte për përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme me rrezikshmëri të lartë për shëndetin publik.

Krijimi i një gjendje të  tillë kaq të mjerueshme, ka ardhë si pasojë e mungesës së investimeve kapitale në infrastrukturë, makineri dhe staf te kualifikuar.

MZHE duhet të angazhohet për përpilimin e një strategjie të mirëfilltë rreth përcaktimit të tarifave për shërbimin e trajtimit të mbeturinave, në mënyrë që të evitohen rritjet e vazhdueshme të tarifave për këtë shërbim.

Duhet të ketë monitorim më efikas të Deponive Sanitare dhe punës së KMDK në përgjithësi, si nga MZHE ashtu edhe Komunat përkatëse, në mënyrë që të ngritët niveli i përgjegjësisë dhe rrjedhimisht efikasiteti i punës në Deponitë Sanitare për mbledhjen e mbeturinave.

Artikuj të tjerë