KOSID diskuton rreth investimeve në sektorin e linjitit në Kosovë

Prishtinë – 26 Shtator, 2016 – Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi tryezë diskutuese me temë: “Interesi publik mbi eksplorimin e linjitit në Kosovë,” ku u bisedua rreth investimeve potenciale në sektorin e linjitit në Kosovë, duke shtjelluar parimet ligjore dhe ekonomike, si dhe realizueshmërinë e projekteve me interes publik në vend. Fokus të madh morrën projektet e kompanive “Envidity,” bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark që kanë kërkuar licencë për shfrytëzim të thëngjillit në 1/3 e territorit të Kosovës, dhe ajo e “Sharrcem” e “Titan America”.

Visar Azemi, Koordinator në KOSID, u shpreh se është e një rëndësie të lartë analizimi dhe hulumtimi i projekteve të cilat kanë si fokus eksplorimin e linjitit në Kosovë.“Projekte të cilat kanë si synim ndikimin e ujërave nëntokësore si dhe qymyrit, nuk kanë hasur në aprovime në vende të ndryshme në Evropë, pasi që janë konsideruar si bartëse të rreziqeve të mëdha mjedisore dhe sociale, kjo për shkak të procesit si i tillë dhe teknologjisë së përdorur. Andaj, projekt propozimet e kompanive Envidity dhe SharrCem nuk duhet gjetur vend për implementim në Kosovë, pasi që do hapen dyert për dy projekte me kosto katastrofale mjedisore, shëndetësore e sociale që tejlakojnë përfitimet ekonomike. Mbi të gjitha, këto projekt propozime nuk përmbajnë informacione konkrete të cilat deputetët mund të bazohen para votimit në Kuvendin e Kosovës, andaj, është e nevojshme implementimi i analizave gjeologjike, të fizibilitetit dhe të ndikimit në mjedis, diksutimi me qytetarë, si dhe konsultimi me eskpertë te fushës para se të merren vendime karshi projekteve të lartëpërmendura,” u shpreh Azemi.

Drejtori i Departamentit Qendror për Partneritet Publiko Privat, Ilir Rama, u shpreh se Kosova është një vend në zhvillim i cili ka nevojë për investime të huaja, të cilat rregullojnë bilancin tregtar të Kosovës, sjellin investime kapitale dhe punësim. “Duhet theksuar se asnjë projekt nuk do të aprovohet pa analizuar ndikimet në ekonominë dhe popullsinë e vendit, si dhe garantimin e shfrytëzimit të teknologjive më të avancuara që nuk lejojnë impakt negativ mjedisor në Kosovë. Për projektet Envidity dhe SharrCem, duhet sqaruar se ne jemi vetëm në procesin e aprovimit të një hulumtimi, dhe kemi vlerësuar se projektet e lartëpërmendura plotësojnë kriteret për zhvillim ekonomik, përmirësimin e përgjithshëm të jetës së qytetarëve, dhe mbrojtjen e mjedisit. Notja e mjedisit nga këto projekte është e mundshme, mirëpo nuk është konstante, dhe kjo varet nga profesionalizmi i investitorit në implemtimin e investimit të tij – gjë të cilën Qeveria e Kosovës do ta sigurojë para nënshkrimit të marrëveshjes potenciale,”tha Rama.

Përderisa, Dardan Abazi, Hulumtues në INDEP/KOSID, prezantoi një analizë të Raportit të Komitetit për Partneritet Publiko-Privat në lidhje me shpalljen me interes publik të projekteve të kompanive Envidity dhe SharrCem.“Ne kemi disa kundërshtime themelore ndaj këtyre projekteve të cilat ndërlidhen me procedurën se si ato po pretendohen të licencohen si dhe pasojat që implementimet e tyre mund të kenë. Projekti i kompanisë Envidity përmban kosto të lartë mjedisore dhe sociale i cili rrezikon të shkaktojë dëme të pariparueshme ndaj tokës, ujit dhe ajrit. Kurse projekti i SharrCem dhe Titan America nuk ofron asnjë përfitim të dukshëm publik, veçse një burim për kompaninë që të furnizojë me qymyr të tharë kompanitë e tij partnere. Mirëpo më shqetësues është fakti konfuziteti i deputetëve mbi këto propozime, për shkak se nuk kanë informacione të mjaftueshme për projektet dhe rrjedhimisht nuk janë të informuar siç duhet rreth projekteve dhe impaktin mjedisor që këto projekte mbartin në vete,”tha Abazi.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin edhe ekspert të xehtarisë dhe gjeologjisë të cilët shprehën shqetësimet e tyre për procesin dhe projektet. Eksperti në fushën e gjeologjisë, Prof.Dr. Ing. Valdet Pruthi, tha se projektet që zhvillohen në sipërfaqe mund të kontrollohen me filtra dhe teknologji të ndryshme, kurse ato që involvojnë shpime dhe zhvillohen nën sipërfaqen e tokës, bartin një risk në vete dhe nuk mund të kontrollohen. Andaj, sipas Pruthit, duhet shtuar vëmendja rreth projekteve të cilat marrin aprovim nga Qeveria e Kosovës, pasi që kosto më e madhe mund të paraqitet në rast sanimi të gjendjes, se sa vet kostoja e investimit në vend.

Tryeza u përcoll me diskutime edhe nga pjesëmarrësit e tjerë të cilët theksuan se duhet analizuar ndikimet e investimeve të tilla në aspektin ekonomik, dhe mjedisor, sidomos dhe atij social, duke theksuar që një numër i konsiderueshëm i banorëve të Kosovës do të ndikohen nga aktivitetet që kompanitë e lartëpërmendura mendojnë ti zhvillojnë përmes këtyre projekteve, të emëruara si projekte strategjike për Kosovën. Gjithashtu u përmend si shqetësues fakti që vendimi për të shpallur këto projekte me interes publik nuk është konsultuar me organet e tjera qeveritare si Agjencia Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit, Departamentin e Minierave në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Departamentin e Ujërave në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësiror etj. Tutje, diskutimet në tryezë shtjelluan faktin se edhe pse investimet do të jenë mbi 30 milion euro, përfitimi i shtetit do të jetë minimal, pasi që përfitimi i vetëm do të jetë mbledhja e tantiemës së thëngjillit – e cila në total do të jetë rreth 70 milion euro dhe jo më shumë.

Artikuj të tjerë